Konfiskohen nëntë pasuri të përfituara nga veprimtari kriminale në Lezhë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë bën me dije se janë konfiskuar nëntë pasuri të përfituara nga veprimtari kriminale.
Sipas Policisë, gjatë dy muajve të fundit janë sekuestruar në qarkun Lezhë, 29 pasuri me sipërfaqe totale rreth 132 322 m².
Policia njofton se në vijim të punës hetimore dhe operacionale, për gjurmimin e aseteve kriminale, si dhe në zbatim të vendimit të GjKKO-së, të lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, konfiskuan 9 pasuri të paluajtshme të përfituara nga veprimtari kriminale.
Në njoftim theksohet se bëhet fjalë për pasuritë si 7 sipërfaqe toke dhe 2 apartamente, që ndodhen në Shëngjin, Ishull Shëngjin dhe në Ishull Lezhë me sipërfaqe totale 33 815 m².
/e.i/j.p/r.e/