Sekuestrohen pasuritë e një personi nën akuzë për ndikimi të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të Nikolla Hafësllari dhe personit të lidhur, Erjol Mekshi.
Shtetasi Nikolla Hafësllari akuzohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjykata e Apelit të Posaçëm ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pranoi ankimimin e SPAK.
SPAK njoftoi se Apeli i Posaçëm vendosi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme s렠Shkallës së Parë dhe pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si më poshtë:
Garazh me nr. 6, kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,
Garazh me nr. 7 , kati -1, me adresë rruga ‘Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë,
Automjet i markës “Audi”, modeli A6, viti i prodhimit 2005.
Apartament, nr. 19/1, shkalla 2 kati III, me sip totale 87,89 m2, me adresë të pasurisë, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.
Apartament, nr. 21, shkalla 2, kati III, me sip totale 61,89 m2, me adresë të pasurisë, rruga “Pjetër Bogdani”, Mëzez, Tiranë.
Për ekzekutimin e këtij vendimi janë ngarkuar oficerët e Policisë Gjyqësore dhe përfaqësuesit e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Për administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme ngarkohen administratorët e kësaj agjencie.
/m.q/a.f/r.e/