Rama ironizon opozitën: Këneta e pafrekuentueshme, kanë dalë moçalet e reja që duken si pishina

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot një takim elektoral në Kukës. Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se më 16 maj e gjithë Evropa do të vijë në Tiranë, duke shtuar se “ajo është dita kur ata ta marrin shumë të qartë mesazhin e popullit shqiptar”.
“Do të vijë Bashkimi Europian, të gjitha shtetet, do të vijnë dhe të gjitha shtetet e tjera demokratike që nuk janë në Bashkimin Europian, që nga Turqia tek Britania e Madhe, Azerbajxhani, Armenia, Ukraina, e kështu me radhë. Dhe ajo është dita kur ata ta marrin shumë të qartë mesazhin e popullit shqiptar”, tha Rama.
Në fjalën e tij Rama ironizoi edhe opozitën dhe partitë e reja opozitare, duke iu referuar komenteve të bëra për zgjedhje të parakohshme.
“Tani juve dëgjoni që ju thonë: Edi Rama një herë thotë timoni, pastaj tepsia, pastaj këneta, jepni mandat, i dhamë tre mandate, do të katërtin. Edhe 3 mandate nuk i mjaftuan për t’u futur në BE, tani thotë më jepni dhe një tjetër”.
“E para punës njëherë, për punën e timonit juve ju kujtohet, në 2017 ju thashë “Ma jepni timonin që të mos kem të tjerë në prehër se ndryshe nuk bëhet reforma në drejtësi” dhe ashtu doli. Nëse nuk do të ishte mbështetja e popullit që na dha ne shumicën vetëm, harrojeni se do vinte Shqipëria ku ka ardhur sot, harrojeni. E dëgjuat një nga ata figurantët e rinj që thoshte “Nëse ne do ta kemi në dorë, do shkojmë në zgjedhje të parakohshme” e kuptoni apo jo? Shqipëria duhet të shkojë në BE, ata thonë do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. E kuptoni se me kë kemi të bëjmë apo jo? Në zgjedhje të parakohshme, përse? Sepse është hapur vendi ngaqë këneta po bëhet gjithmonë e më e pafrekuentueshme, është hapur hapësira dhe kanë dalë këto moçalet e reja tani që duken si pishina”, tha Rama.
Më tej Rama theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së.
Sipas tij, Mali i Zi që i ka filluar negociatat në 2012, përpara sesa Edi Rama dhe Partia Socialiste të vinin në qeveri, nuk është në Bashkimin Europian. “Po Serbia që i ka filluar negociatat në 2014 që ne nuk ishim akoma kandidat, pse nuk është në Bashkimin Europian? Po Maqedonia që u bë dhe Maqedonia e Veriut, ndërroi dhe emrin dhe që ka qenë kandidate që në 2005 pse nuk është në Bashkimin Europian?.
“Kur përfaqësoja Shqipërinë në fillim për Shqipërinë kishte vetëm bezdi, ishte një vend që nuk e besonte njeri, nuk e vlerësonte njeri dhe nuk e llogariste njeri fare, hiç, që do bëhej me këtë shpejtësi vendi që Serbinë e kemi lënë mbrapa, me Malin e Zi jemi në të njëjtën vijë tek pragu dhe sot ky flamuri kuqezi që ne e mbajmë me shumë krenari, kudo ku shkon në të gjitha samitet, në të gjitha tryezat ndërkombëtare rri me po të njëjtën krenari dhe nuk thotë kë kush “Ore, ç’është ky flamuri? I kujt është ky flamur?””, u shpreh Rama.
Në fund të fjalës së tij Rama kërkoi mbështetje për mandatin e katërt, teksa theksoi se qarku i Kukësit mund të bëhet destinacion i ri, i fuqishëm në hartën turistike të Shqipërisë.
“Kështu që, shumë është bërë dhe kujt më thotë “Për çfarë të duhet mandati i katërt” i them se ka akoma për të bërë prandaj duhet mandati i katërt dhe më besoni që ne mund ta bëjmë Kukësin, mund ta bëjmë këtë qark një destinacion të ri, të fuqishëm në hartën turistike të Shqipërisë nëse ju dhe nëse populli i këtij qarku do të na japë të gjithë besimin për ta bërë këtë gjë sepse kjo gjë bëhet bashkë”, tha Rama. /j.p/