Konjufca: Besoj se Apeli do ta shqyrtojë me kujdes dhe rigorozitet vendimin e shkallës së parë

PRISHTINË, 16 shtator/ATSH/ Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca tha sot se aktgjykimi dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka shkaktuar zhgënjim të thellë në Kosovë, ndjenjë të cilën tha se e ndan edhe personalisht.
Ky është reagimi i tij i dytë që nga momenti që Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Selimi me 13 vjet, ndërsa Krasniqi me 25 vjet.
Konjufca shprehu bindjen se Dhoma e Apelit do ta shqyrtojë me kujdes dhe rigorozitet vendimin e shkallës së parë.
“Besoj fuqishëm se Dhoma e Apelit do t’ia nënshtrojë aktgjykimin një shqyrtimi të kujdesshëm dhe rigoroz gjyqësor, si dhe do t’i trajtojë, në përputhje me ligjin e zbatueshëm dhe praktikën e vendosur, mangësitë ligjore dhe faktike që dalin nga ky vendim”, shkroi ai në platformën X, transmeton KosovaPress.
Pavarësisht kësaj, Konjufca theksoi se përkushtimi i Kosovës ndaj sundimit të ligjit, parimeve demokratike, paqes dhe së ardhmes evropiane mbetet i pandryshuar.
Ai tha se historia e Kosovës është e karakterizuar nga represioni, rezistenca, lufta, humbjet dhe liria e fituar me shumë sakrifica.
“Sot, në rrethanat aktuale, është e vështirë të perceptohet një ndjenjë drejtësie për dhjetëra mijëra gra, burra dhe fëmijë, prej të cilëve më shumë se 95 për qind ishin shqiptarë etnikë, që u vranë, u dhunuan dhe u torturuan nga forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe. Për ta, drejtësia nuk erdhi kurrë”, deklaroi Konjufca.
Ai bëri thirrje që të mbrohet e vërteta historike nga çdo shtrembërim dhe interpretim keqdashës.
“Mbi të gjitha, duhet të mbetemi krenarë për dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës, si dhe për shtetin që kemi ndërtuar sot: një Kosovë të lirë, demokratike dhe evropiane”, përfundoi Konjufca në reagimin e tij.
/KosovaPress/