Konstituohet Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural u konstituua zyrtarisht sot në Kuvend.
Kryetari i komisionit Blendi Klosi theksoi se fokusi kryesor i punë së këtij komisioni do të jetë zhvillimi i zonave rurale. Ndërkohë, nënkryetari Xhelal Mziu u shpreh se bujqësia duhet të trajtohet jashtë politikës, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm në këtë sektor.
Ky komision i ri parlamentar ka në qendër hartimin e politikave për ushqimin, blegtorinë, peshkimin dhe zhvillimin rural, si dhe shqyrtimin e projekteve ligjore që lidhen me ekonominë e fshatit.
Konstituimi i komisionit vjen në një kohë kur bujqësia shihet si motor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit, ndërsa rritja e prodhimit vendas dhe përmirësimi i sigurisë ushqimore janë vënë ndër prioritetet kryesore.
Komisioni do të fokusohet në: Hartimin dhe shqyrtimin e politikave dhe projekteve ligjore që ndikojnë në prodhimin bujqësor dhe sigurinë ushqimore; Nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat rurale; Rritjen e prodhimit vendas dhe mbështetjen për fermerët nëpërmjet politikave të qarta dhe të zbatueshme; Forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe promovimin e prodhimeve cilësore shqiptare.
Përveç funksioneve legjislative, komisioni pritet të luajë edhe rolin e një ure komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shtetërore dhe fermerëve, agrobizneseve dhe shoqatave të fushës.
Konstituimi i Komisionit për Bujqësinë hap rrugën për një rol më të fuqishëm të bujqësisë në strategjinë kombëtare të zhvillimit ekonomik, me objektiva konkrete dhe me synimin për një bujqësi moderne, konkurruese dhe të qëndrueshme.
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 4/r.e/a.f/