E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raundi i dytë i regjistrimeve në universitete, mbi 1700 regjistrime ditën e parë

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ Prej ditës së djeshme ka nisur faza e dytë e regjistrimeve në universitete për nxënësit fitues.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, në një intervistë televizive u shpreh se për këtë raund kanë aplikuar mbi 6000 maturantë.

Sipas Xhelajt, ecuria e regjistrimeve ka qenë shumë e mirë, pasi mbi 6300 aplikantë janë regjistruar në kuotat e lira.

“Në raudin e parë, në ditën e parë dje, kemi pasur 1700 apikantë, gati 25 për qind e aplikantëve u regjistruan. Tani të shikojmë si do jetë ecuria e ditës së dytë, por gjithmonë e pritshme që dita e parë ka ecuri më të madhe, pasi maturantët që kanë aplikuar për degë të caktuara shikojnë që ka degë dhe shkojnë regjistrohen direkt. Pritet që të jetë raundi i dytë, ky numër që kanë qenë aplikantë, pra 6300 aplikantë të regjistrohen të gjithë. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë besojmë këtë vit do ta kalojmë stekën e 22-mijëshit”, tha Xhelaj.

Xhelaj u shpreh se “kuota të lira kanë mbetur edhe në shumë programe të preferuara, ndërsa kërkesë në rritje për këtë fazë të parë të raundit të dytë ka pasur edhe për programe 2-vjeçare profesionale”.

“Pati një ecuri të mirë, të shpejtë, programet 2-vjeçare dhe ato programe ku kishin ngelur kuota nga programet e kërkuar, të tipit si inxhinieri, IT ose dhe degë infermierie ose shëndeti ku kishin ngelur kuota minimale nga raundi i parë. Gjithmonë në raundin e parë ecin këto, kur ezaurohen këto, pastaj vijojnë edhe me programe të tjera”, pohoi Xhelaj.

Raundi i parë i regjistrimeve u zhvillua nga data 29 gusht deri më 11 shtator 2025, i ndarë në 7 faza 48-orëshe. Faza e parë ishte më 29–30 gusht; faza e dytë: 31 gusht – 1 shtator; faza e tretë: 2–3 shtator; faza e katërt: 4–5 shtator; faza e pestë: 6–7 shtator; faza e gjashtë: 8–9 shtator dhe faza e shtatë: 10–11 shtator.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›