E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontributet vullnetare në sigurimet shoqërore, interes i lartë nga emigrantët dhe të vetëpunësuarit në bujqësi

Derdhja e kontributeve vullnetare në qarkun e Gjirokastrës, nga janari deri tani, ka shënuar rritje nga ana e qytetarëve.

Enkeleida Shkurta, specialiste pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër, bëri të ditur se ndryshimi i Ligjit nr. 7, për njohjen e viteve të punës para viteve ’90, ka qenë një faktor kyç në këtë rezultat pozitiv.

Gjatë këtyre 11 muajve kanë paguar kontributet si të vetëpunësuar në bujqësi 2 400 qytetarë, ndërsa për sigurimin vullnetar 800 persona.

“Ligji numër 7 ndihmoi shumë qytetarë që nuk plotësonin kushtin e 15 viteve për njohjen e periudhave nga mosha 18 vjeç deri në vitin ’91, kur u prishën kooperativat. Ky ligj i ndryshuar bëri që të rikthehej interesi për të plotësuar periudhën, pasi shmangu gjyqet,” u shpreh Enkeleida Shkurta, specialiste pranë Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore.

Ndërkaq, edhe marrëveshja me Italinë bëri që emigrantët të përfshihen gjithnjë e më shumë në skemën e sigurimeve shoqërore.

“Marrëveshja me Italinë bëri që periudhat që kishin bosh, të paplotësuara në Shqipëri, t’i sillnin për të plotësuar kohën që u duhej,” tha ajo.

Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore po vijon ofrimin e shërbimeve edhe përmes platformës e-Albania, që u mundëson qytetarëve të kryejnë veprime online dhe të marrin informacion pa qenë e nevojshme të paraqiten fizikisht pranë sporteleve.

Gazetare: E. Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›