Ankimimi për Shkodrën, PD kërkon përjashtimin e Ilir Rusmailit nga KAS: Është në kushte njëanshmërie

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Marash Logu, paraqiti sot një kërkesë drejtuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ku kërkon përjashtimin e anëtarit të KAS Ilirjan Rusmali, ndërsa po shqyrtohet ankimimi i bërë për rezultatin zgjedhor në Shkodër.
Në kërkesën e PD-së theksohet se prania e Ilirjan Rusmalit nuk garanton një proces të rregullt ligjor për palën ankuese, në drejtim të garantimit të parimit të paanshmërisë.
Sipas PD-së “ky anëtar, për shkak të funksionit zyrtar që mban pranë presidentit të republikës, si dhe vendimmarrjeve të ndërmjetme me ankimet tona të mëparshme, ashtu edhe fjalëve dhe shprehjeve që ka përdorur në raport me përfaqësuesin ligjor të ankuesit, vlerësojmë se është në kushte njëanshmërie dhe si i tillë duhet të përjashtohet nga shqyrtimi i kërkesës ankimore, objekt shqyrtimi në procedurë administrative”.
PD nënvizon në kërkesën drejtuar KAS se Ilirjan Rusmali, ushtron edhe detyrën e këshilltarit ligjor të Presidentit të Republikës, Barjam Begaj.
“Prania e këshilltarit ligjor të Presidentit në shqyrtimin e ankesave zgjedhore të subjekteve politike ngërthen një sërë problematikash të natyrës kushtetuese dhe ligjore”, thekson PD.
PD shton se “edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar me një shkresë Presidentit të Republikës, duke i kërkuar mosndërhyrjen e Institucionit të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor dhe ruajtjen e neutralitetit politik të institucionit”.
“Nga ana tjetër, pala ankuese nuk mund të injorojë faktin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili ka qenë një propozim i dalë nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, për t’u zgjedhur më pas në datën 4 qershor 2022, President i Republikës vetëm me votat e Partisë Socialiste” thuhet në kërkesën e PD-së.
Sipas PD “këto dyshime për njëanshmëri të Ilirjan Rusmali, i cili paraqitet në përbërje të trupës së KAS, me petkun e dyfishtë të këshilltarit ligjor të Presidentit dhe anëtarit të KAS-it, përforcohen edhe më tej nga veprimet dhe vendimmarrjet e tij”.
Në tjetër pikë që prek PD thekson është edhe sjellja e Rusmalit.
“Anëtari Rusmali, në pamundësi për të kontrolluar shpërthimet emocionale dhe bindjet e tij të brendshme ndaj palës ankuese, Partisë Demokratike dhe lidershipit të saj, degradon në sharje dhe ofendime personale ndaj përfaqësuesve ligjor të subjektit zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore””, thuhet në kërkesën e PD-së.
Sipas PD-së “në kushtet kur anëtari i KAS, Ilirjan Rusmali, për shkak të funksionit të tij zyrtar si këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës, veprimeve, sjelljeve dhe vendimmarrjeve të tij në cilësinë e anëtarit të KAS-it haptazi kundër palës ankuese, subjektit zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, dhe përfaqësuesve të saj ligjor, ka krijuar arsye serioze për njëanshmëri””. /j.p/