“Koordinata”, asgjësohen bimë kanabis në Tepelenë

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Në kuadër të operacionit policor antidrogë “Koordinata”, janë asgjësuar me anë të djegies 195 bimë kanabis në Tepelenë.
Policia njoftoi sot se “si rezultat i shtimit të kontrolleve të territorit, me dron, që kanë objektiv parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe ato të Komisariatit të Policisë Tepelenë gjetën 195 bimë të tjera të dyshuara narkotike Cannabis Sativa”.
Sipas policisë, konkretisht në njësinë administrative Qëndër, në fshatin Mamaj, u gjetën 149 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim të detyrës, për kryetarin e këtij fshati, shtetasin M. Z.
Po ashtu edhe “në njësinë administrative Kurvelesh, në fshatin Progonat, u gjetën 46 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa”.
Policia njoftoi se vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit.
/m.q/j.p/