Korça destinacion i preferuar për Pashkë, turistët zgjedhin qëndrime të shkurtra

Në prag të festës së Pashkës, Korça vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për pushime, falë atmosferës festive dhe aktiviteteve që gjallërojnë qytetin. Operatorët turistikë raportojnë për një nivel të kënaqshëm rezervimesh, ndonëse ende nuk është arritur kapaciteti i plotë, edhe pse fundjava e festës është shumë pranë.
“Rezervimet për ne operatorët turistikë kanë qenë relativisht të mira, por krahasuar me vitet e shkuara nuk janë në pritshmëritë tona. Duke qenë ditë festive kur pushimet kanë qenë të gjata, kemi pasur pritshmëri për rezervime më të dendura. Megjithatë mendoj se gjithë operatorët janë gati për çdo fluks të mundshëm që mund të ketë në ditët në vazhdim,” tha Klaus Pronjari.
Rezervimet dominohen kryesisht nga qëndrime të shkurtra, një ose dy ditore, ndërsa nuk mungojnë edhe turistët që zgjedhin të qëndrojnë më gjatë, kryesisht vizitorë vendas, por edhe nga vendet e rajonit.
“Kryesisht rezervimet janë një ditore, por nuk mungojnë dhe ato që janë dy apo më shumë ditore. Ka shumë turistë vendas, por nuk mungojnë edhe ata nga vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi,” u shpreh një tjetër operator turistik.
Festa e Pashkës vijon të sjellë çdo vit një numër të madh vizitorësh në Korçë, të cilët zgjedhin ta kalojnë këtë periudhë në qytet, të tërhequr nga traditat, atmosfera festive dhe mikpritja karakteristike.
/rtsh.al/