“Korrupsioni, sfidë reale” – Progres raporti, ambasadorja e BE: Duhet të punohet për parandalimin e fenomenit! Protestat? Çdo reagim duhet të jetë në përputhje me ligjin
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, duke iu referuar progres raportit të KE për Shqipërinë, theksoi se vendi ka bërë hapa përpara por shtoi se korrupsioni përbën një shqetësim real.

Ambasadorja vlerësoi punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke theksuar se institucioni ka vijuar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta. Megjithatë, ajo nënvizoi se këto përpjekje duhet të vijojnë dhe të shoqërohen me masa parandaluese kundër korrupsionit.
Moreira de Sousa u ndal edhe te situata demokratike në vend, duke evidentuar klimën e polarizuar politike, mbikëqyrjen e pamjaftueshme parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesën e konsultimeve publike. Ajo e cilësoi Reformën Zgjedhore si urgjente, duke kërkuar përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR përmes një procesi gjithëpërfshirës.
“Këto përpjekje duhet të vijojnë pasi korrupsioni mbetet një sfidë reale për Shqipërinë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të punohet më tej edhe për parandalimin e korrupsionit. Çdo reformë apo nismë ligjore duhet të mbështetet në reformën në drejtësi me qëllim ruajtjen e funksionimit efektiv të sistemit të drejtësisë, përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit në nivele të larta.”, tha ajo.
Sa i përket mjedisit, Moreira de Sousa kërkoi ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike. Për protestat ajo tha se ato u nxitën nga shqetësime legjitime dhe u shndërruan në një lëvizje më të gjerë për transparencë, llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit.
Sipas ambasadores, çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin, referuar dhunës policore ndaj të rinjve.
“Protesta u shndërrua në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, luftën kundër korrupsionit. Protestat janë pjesë e jetës demokratike, por dhuna nuk ka vend. Çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin. Pakënaqësitë të zgjidhen përmes një dialogu të mirëfilltë.”, tha ajo.
Pjesë nga fjala e ambasadores:
Mesazhi i raportit është i thjeshtë, Shqipëria ka ecur përpara. Kryeministër, kjo reflekton punën e fortë të qeverisë tuaj dhe angazhimin në rrugën drejt BE. Të gjithë kapitujt janë hapur dhe 4 prej tyre janë mbyllur. Vijimi i kësaj rruge kërkon përpjekje të vazhdueshme. Sa i përket drejtësisë dhe krimit të organizuar, raporti evidenton përparim të mirë. SPAK ka vijuar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta. Këto përpjekje duhet të vijojnë pasi korrupsioni mbetet një sfidë reale për Shqipërinë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të punohet më tej edhe për parandalimin e korrupsionit. Çdo reformë apo nismë ligjore duhet të mbështetet në reformën në drejtësi me qëllim ruajtjen e funksionimit efektiv të sistemit të drejtësisë, përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit në nivele të larta.
Sa i përket demokracisë, raporti vë në dukje një klimë të polarizuar, mbikëqyrje parlamentare ndaj qeverisë dhe mungesë të konsultimeve publike. Reforma Zgjedhore është urgjente për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe kjo kërkon proces gjithëpërfshirës që të shkojë përtej dy partive kryesore.
Në lidhje me të drejtat themelore, ligjet e reja për barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave përbëjnë hapa pozitivë. Tashmë lipset kuadri ligjor për mbrojtjen e këtyre të drejtave.
Sa i përket lirisë së medias, shpifja është dekriminalizuar pjesërisht. Ky është hap në drejtimin e duhur, por nuk mjafton në vetvete. Raportimet për përdorim jo proporcional të forcës nga policia ndaj gazetarëve duhet të trajtohet si çështje prioritare.
Sa i përket mjedisit, përparimi ka qenë i kufizuar. Ndryshimet e vitit 2024, në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjatjet e përsëritura për investimet strategjike kanë sjellë përkeqësim të mbrojtjes së natyrës. Dispozitat që bien ndesh me njëra tjetrën duhet të shfuqizohen ndërsa projektet madhore, përfshirë Zvërnecin, do të vlerësohen kundrejt standarteve të BE.
Ishin shqetësimet paqësore që nxitën protestat paqësore në fund të muajit maj. Protesta u shndërrua në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, luftën kundër korrupsionit.
Protestat janë pjesë e jetës demokratike, por dhuna nuk ka vend. Çdo reagim ndaj akteve të dhunës duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin. Pakënaqësitë të zgjidhen përmes një dialogu të mirëfilltë.