E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosova voton, mbahen sot zgjedhjet lokale

PRISHTINË, 12 tetor /ATSH/ Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.

Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Vendvotimet u hapën në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore.

Procesi zgjedhor do të organizohet në 938 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra votimi për votimin e rregullt me 2 mijë e 571 vendvotime dhe 38 qendra votimi për votim me kusht me gjithsej 54 vendvotime.

Në rast se do të ketë raund të dytë të votimit, kjo do të ndodh katër javë pas procesit të sotëm zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka treguar në faqen zyrtare procedurat që duhet të ndiqni për të kryer procesin e votimit. Mos harroni: Duhet ta keni me vete dokumentin tuaj të identifikimit.

Përveç KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve – për të garantuar mbarëvajtjen e procesit – pritet të angazhohen edhe institucionet e ndryshme, si Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që qytetarët e Kosovës u drejtohen kutive të votimit. Më 9 shkurt u votua për zgjedhjet parlamentare.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›