E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasadori britanik ndjek nga afër zgjedhjet në veri

PRISHTINË, 12 tetor /ATSH/ Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves bëri të ditur se ka vizituar disa qendra të votimit në veri të Mitrovicës dhe Zveçan – komuna këto të banuara me shumicë serbe.

“Është shumë bukur të shoh njerëz që dalin dhe marrin pjesë në këto zgjedhje lokale shumë të rëndësishme për Kosovën”, tha ambasadori britanik përmes një video të publikuar në Facebook.

Ai njoftoi se do të vizitojë edhe pjesë të tjera të Kosovës sot kur po votohet për zgjedhjet lokale në 38 komuna.

“Ambasada Britanike ka ekipe në të gjithë vendin dhe jam shumë i kënaqur të shoh se si po zhvillohet kjo në të gjithë vendin dhe shpresoj të shoh shumë njerëz duke votuar dhe duke marrë pjesë”, tha ai.

Qytetarët e Republikës së Kosovës ushtrojnë sot të drejtën kushtetuese të votës. Këto janë zgjedhjet e rregullta lokale, të cilat mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të KQZ-së është 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, nga jashtë Kosovës janë regjistruar për votim 43 mijë e 993 qytetarë me të drejtë vote.

Votimi përmes postës ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar dje, më 11 tetor.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar dhe që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5.624 kandidatë, prej të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe 5.419 kandidatë për zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Vendvotimet u hapen në orën 7:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Kjo periudhë llogaritet heshtje zgjedhore.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›