Kosovë – Haxhiu: Nuk do të jem kandidate për kryetare të Kuvendit

PRISHTINË, 22 gusht/ATSH/ Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se nuk do të jetë kandidatë për kryetare të Kuvendit.
Ajo tha se pas pak kur pritet të nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, do të dihet emri i kandidatit për kryekuvendar.
Albulena Haxhiu për disa herë me radhë ishte kandidate e propozuar e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, por që asnjëherë nuk I siguroi 61 vota për këtë pozitë.
Pas 3 javësh, të mërkurën deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në seancën e 20 gushtit, ashtu siç e kërkoi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për bllokadën politike, votimi për kryekuvendarin u bë me votim të hapur, dhe Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, por asnjëra nuk mori 61 votat për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Pas këtyre dy dështimeve kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari e ndërpreu seancën e cila do të vazhdojë sot nga ora 11:00.
Gjykata Kushtetuese të hënën e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, aktgjykim i cili përcakton një afat 30 ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas po këtij aktgjykimi, një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë.
Kosova më 9 shkurt të këtij viti mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
/Kosovapress/