Kosovë – Tjetër përpjekje sot për konstituim të Kuvendit

PRISHTINË, 19 maj /ATSH/ Deputetët do të mblidhen sërish sot për tentuar sërisht konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e tetëmbëdhjetë me radhë që prej pesëmbëdhjetë prillit kur ka filluar seanca konstituive.
Vazhdimi i seancës konstituive bëhet në orën 10:30 – pa shpresë se do të ketë zhbllokim të situatës.
Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit të propozuar ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ngërçi në Kuvend, partitë lëvizni nga pozicionet-opsion shihet ndërhyrja e ndërkombëtarëve
Në disa seanca, kryesuesi i seancës, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka tentuar që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo nuk është përkrahur nga partitë e tjera parlamentare. Që prej pesëmbëdhjetë prillit, deputetët po mblidhen çdo 48 orë për konstituim të Kuvendit.
E në mbledhjen e fundit, nga Lëvizja Vetëvendosje u propozua që vazhdimet e seancave të mos bëhen çdo 48 orë – siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por të bëhen një herë në javë. Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, javën që shkoi, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.
/Kosovapress/