Kosovë, sulmon brutalisht me sëpatë ish-gruan dhe arratiset. Policia e shpall në kërkim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Lipjan të Kosovës ku një grua është sulmuar brutalisht me sëpatë nga ish-bashkëshorti i saj.
Sipas policisë së Kosovës, ka konfirmuar se ngjarja po trajtohet si “vrasje në tentativë”, ndërsa viktima është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor.
Ngjarja ndodhi në fshatin Gadime të Lipjanit ndërsa ish-bashkëshorti i saj ndodhet në arrati dhe policia e ka shpallur në kërkim.
Prokurori i shtetit në koordinim me njësitet e tjera mësohet se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e tij.
Gjithashtu, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti bën të ditur se autori është identifikuar dhe është në kërkim nga ana e policisë.
“Sot në stacionin policor të Lipjanit, është iniciuar një rast vrasje në tentativë. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet hetimore e procedurale , ndërkohë që personi i lënduar (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin është identifikuar personi i dyshuar i cili është në kërkim nga ana e policisë”, ka theksuar Ahmeti për mediat e Kosovës.
/rtsh.al/