Kozeli: Aksi rrugor Librazhd-Pogradec hapet nesër në mesditë

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli bëri të ditur sot se aksi Librazhd-Pogradec, pas ndërhyrjes intensive në zonën e quajtur “Arrat e Gurrës” do të hapet për qarkullim nesër në mesditë.
Sipas Kozelit, segmenti rrugor do të hapet nesër, në orën 12:00, pas punës së pandërprerë të ekipeve në terren, të cilat kanë operuar me mjete të rënda dhe fuqi punëtore të shtuar për stabilizimin e trupit të rrëshqitur dhe devijimin e rrjedhës së lumit Shkumbin, me qëllim shmangien e dëmtimeve të mëtejshme.
Gjatë kësaj periudhe është realizuar lehtësimi i masës së rrëshqitur, si dhe janë kryer punimet parapërgatitore për mundësimin e hapjes së trafikut.
Sipas kreut të ARRSH-së, ishte e domosdoshme ndërhyrja emergjente, ndërkohë që punimet për ndërtimin e një rruge alternative mbi lumin Shkumbin dhe në krah të hekurudhës do të kërkojnë të paktën 60 ditë.
Projekti për rrugën alternative parashikon rreth 80 mijë metra kub mbushje dhe 2800 tonë shtresë asfaltike. Segmenti i ri do të ketë një gjatësi prej 1,1 kilometrash.
Kozeli theksoi se aksi që hapet nesër do të jetë i aksesueshëm për të gjitha mjetet.
“Prej katër ditësh segmenti është mbajtur në testim nën presion të vazhdueshëm me mjete të rënda dhe nuk ka shfaqur asnjë lloj cedimi”, u shpreh Kozeli. /j.p/r.e/