SASPAC: Portet, faktor kyç në tranzicionin energjetik të Rajonit Adriatiko-Jonian

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Thellimi i bashkëpunimit mes porteve të Rajonit Adriatiko-Jonian dhe rritja e rolit të tyre në procesin e tranzicionit energjetik, ishin në qendër të aktivitetit të zhvilluar nga Rajoni Marche, në bashkëpunim me Strategjinë e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).
Në aktivitetin me temë “Portet në qendër të Rajonit Adriatiko-Jonian: bashkëpunimi dhe konkurrueshmëria drejt tranzicionit të qëndrueshëm”, u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me transformimin e porteve në nyja të qëndrueshme energjetike, përmes investimeve në teknologji të pastra, energji të rinovueshme dhe sisteme moderne logjistike.
Përfaqësuesit e SASPAC theksuan rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe të përfshirjes aktive në nismat makrorajonale, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe përfitimin nga fondet e Bashkimit Evropian për projekte që mbështesin tranzicionin e gjelbër.
Aktiviteti shërbeu gjithashtu si platformë për dialog konstruktiv për forcimin e dialogut dhe ndërtimin e një qasjeje të përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të porteve në rajon.
/e.xh/r.e/