Kozeli: Tuneli në Hotolisht, zgjidhje për Korridorin VIII

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) do të ndërtojë tunel në zonën e Hotolishtit, në kuadër të punimeve për Korridorin VIII, si zgjidhje teknike për kalimin e segmentit në këtë zone pas kundërshtimit nga banorët e zonës të projektit fillestar.
Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, në një prononcim për mediet nga kantieri i punimeve në aksin Elbasan-Qafë Thanë, bëri të ditur se vendimi është marrë nga Këshilli Teknik i institucionit dhe se ndërhyrja është parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Kemi marrë vendim në Këshillin Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar që kalimi në zonën e Hotolishtit të zgjidhet me tunel. Projekti është parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm për nisjen e punimeve, ndërsa po shihet mundësia që përmes aktit normativ për rishikimin e buxhetit të afrohet në kohë, në varësi të ecurisë së punimeve në lotet e tjera të Korridorit VIII”, u shpreh Kozeli.
Ai shtoi se paralelisht do të vijojnë ndërhyrjet infrastrukturore në disa segmente të tjera të këtij aksi, përfshirë edhe zonën e Mirakës, ku parashikohen punime në Urën e Mirakës në muajt në vijim.
Sipas tij, ARRSH ka ndërhyrë gjithashtu për sistemimin e kanalit vaditës në këtë zonë, me qëllim garantimin e funksionimit normal të infrastrukturës bujqësore.
“Kemi ndërhyrë edhe për ndërtimin dhe sistemimin e kanalit vaditës në Mirakë”, deklaroi Kozeli.
Korridori VIII, që nis nga kompleksi portual Durrës–Porto Romano dhe shtrihet drejt Detit të Zi, vijon të zhvillohet në shtatë lote, ndërsa ka përfunduar loti Fushë-Labinot – Xibrakë dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti.
Ky aks është përfshirë zyrtarisht në infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s, duke u njohur si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës. Ai është gjithashtu pjesë e rrjetit strategjik evropian të transportit TEN-T që prej 1 dhjetorit 2022, duke forcuar rolin e Shqipërisë si nyjë lidhëse në korridoret rajonale të lëvizjes dhe sigurisë.
/j.p/r.e/