Rama: Berati, një nga shembujt më kuptimplotë të transformimit

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vlerësoi sot Beratin si një nga shembujt më domethënës të transformimit gjatë viteve të fundit, duke theksuar se qyteti ka shënuar zhvillime të rëndësishme në infrastrukturë, ekonomi dhe turizëm.
Në fjalën e tij, në takimin e organizuar në Berat me rastin e 35-vjetorit të krijimit të PS-së, Rama falendëroi qytetarët e Beratit për të gjithë besimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë.
“Jemi sot në këtë rrugëtim këtu në Berat në një stacion që, për hir të vërtetës, unë vij me shumë me dëshirë gjithmonë, sepse është një nga shëmbëlltyrat më kuptimplota të transformimit që kemi sjellë qysh se shqiptarët dhe qytetarët e këtij qarku, natyrisht dhe të këtij qyteti, na besuan mandatin tonë të parë”, theksoi Rama.
Duke kujtuar vizitën e tij të parë në Berat pas zgjedhjes në krye të Partisë Socialiste, Rama tha se një nga sfidat më të mëdha të kohës ishte mungesa e infrastrukturës rrugore.
“E kujtoj gjithmonë shumë mirë edhe rrugën time të parë për në Berat, kur u zgjodha kryetar i Partisë Socialiste me mbështetjen e Fadil Nasufit dhe të gjithë atyre që dolën këtu në ekran, përfshirë pa asnjë diskutim dhe Arturin, i cili për hir të vërtetës ka qenë një mbështetës i hershëm, edhe kur Fadili me të tjerët nuk më mbështesnin mua, se mbështesnin vijën e partisë. Normal fare, se falë atij qëndrimi të palëkundur me vijën e partisë kemi ardhur deri këtu”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “kur kam ardhur për herë të parë ishte një rrugë jashtëzakonisht e vështirë nga pikëpamja e ardhjes në Berat. Faktikisht nuk kishte rrugë. Ju e dini këtë më mirë sesa unë. Dhe për shumë vite rruga që lidh Beratin me kthesën e Lushnjës ishte problemi më i madh i qytetarëve të Beratit. Duket e pabesueshme sot me siguri për të gjithë ata të rinj që janë këtu, por kjo është e vërteta”.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “kemi nisur transformimin e Beratit nga ajo rrugë për të vazhduar me shumë gjëra të tjera dhe sot Berati është vendi që ka shënuar si një dallëndyshe e parë trendin e ikjeve e ardhjeve. Në Berat më shumë kthehen sesa ikin nga vendi. Në Berat tanimë njerëzit që duan të gjejnë rrugën për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme familjare mund ta gjejnë, duke shfrytëzuar gjithë atë prurje gjithmonë e më të madhe që ka sjellë turizmi natyrisht, por jo vetëm”.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te rrugëtimi i Partisë Socialiste ndër vite, duke kujtuar periudhën e vështirë të opozitës në vitet e para të pluralizmit.
“Dhe siç është e paimagjinueshme ajo që thashë për rrugën ashtu është e paimagjinueshme sot që më të rinjtë e kësaj familje të imagjinojnë një vend i ku një pjesë e jona ka jetuar në një kohë kur demokracia na thuhej që kishte ardhur, por në fakt kishte vetëm një ekran, ekrani i Radio Televizionit shtetëror që transmetonte nonstop vetëm pushtetin dhe ku opozita e atëhershme, Partia Socialiste dilte shumë rrallë për pak sekonda dhe dilte vetëm me pamje, jo me zë”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “pamja ishte pamja e drejtuesve të atëhershëm të Partisë Socialiste, kurse zëri ishte i spikerit apo i spikeres së pushtetit, që përdorte fjalë denigruese ndaj atyre që dilnin në ekran për të përfaqësuar opozitën. Në ndërkohë Partia Socialiste në territor ishte forca e një grushti njerëzish me një mbështetje patjetër në bazë, por me shumë pak numra, kur ishte fjala për t’u shfaqur si përfaqësues të Partisë socialiste, nuk kishte Partia Socialiste ku të rrinte”.
/k.s/a.f/r.e/