Shqipëria përfshihet në nismën “EU4IP – Ballkani Perëndimor”

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Shqipëria është përfshirë në një nga nismat më të rëndësishme të Bashkimit Evropian për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në rajon, pas lançimit zyrtar të projektit “EU4IP – Ballkani Perëndimor”, një program i ri bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian, Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian (EUIPO) dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë), si dhe Republikës së Moldavisë.
Nisma synon të mbështesë vendet pjesëmarrëse në përafrimin e legjislacionit, institucioneve dhe praktikave të tyre me standardet europiane të pronësisë intelektuale, duke krijuar kushte më të favorshme për inovacionin, investimet dhe zhvillimin ekonomik.
Projekti vjen në një moment kyç për Shqipërinë, ndërsa vendi vijon procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përballet me nevojën për të forcuar mbrojtjen e markave tregtare, patentave, dizajneve industriale dhe të drejtave të autorit.
Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI), Maria Solis Kapedani, e vlerësoi projektin si një mundësi të rëndësishme për të përshpejtuar transformimin e sistemit shqiptar të pronësisë intelektuale.
“Mirëpresim projektin EU4IP-WB si një hap të rëndësishëm për forcimin e ekosistemit të pronësisë intelektuale në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin. Një sistem modern dhe efikas i mbrojtjes së pronësisë intelektuale është thelbësor për zhvillimin e inovacionit, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe afrimin e vendit me standardet europiane”, u shpreh Kapedani.
Përmes këtij projekti, institucionet shqiptare do të përfitojnë asistencë teknike, shkëmbim ekspertize dhe mbështetje për harmonizimin e mëtejshëm me acquis communautaire në fushën e pronësisë intelektuale.
Sipas Bashkimit Evropian, sistemet e forta të pronësisë intelektuale janë një nga shtyllat kryesore të ekonomive moderne, pasi mbrojnë krijimtarinë, shpikjet dhe markat, duke nxitur investimet dhe zhvillimin e sipërmarrjes.
Drejtori Ekzekutiv i EUIPO-s, João Negrão, theksoi se një sistem i fortë i pronësisë intelektuale përbën bazën e një shoqërie më inovative dhe më të begatë.
Projekti “EU4IP – Ballkani Perëndimor” konsiderohet gjithashtu një instrument konkret i mbështetjes së Bashkimit Evropian për procesin e zgjerimit, duke ndihmuar vendet partnere të afrohen me tregun e përbashkët europian dhe standardet e tij.
Për Shqipërinë, kjo nismë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e klimës së biznesit, mbrojtjen e investitorëve, promovimin e inovacionit dhe rritjen e besimit të kompanive që operojnë në treg. /j.p/r.e/