Krasniqi: AMA shqyrtoi 241 raste për shkeljet etike, pirateria audiovizive shqetësuese

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, prezantoi sot në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik raportin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, ku theksoi se “AMA ka shqyrtuar kryesisht 241 raste për përputhjen ligjore të përmbajtjeve të transmetuara”.
Krasniqi tha se këto raste fokusoheshin në aspekte të tilla si: mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme; gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi; barazia gjinore; shkeljet etike në përgjithësi; reklamat dhe komunikimet tregtare; përdorimi i gjuhës shqipe standarde të shkruar dhe të folur; respektimi i sinjalistikës paralajmëruese në fasha kohore të caktuara; tërësia programore të platformës së RTSH-së, në zbatim të kërkesave të Kontratës së Shërbimit, etj.
“Përveç përmirësimit të kapaciteteve në drejtim të mirëfunksionimit të brendshëm institucional, përparësia e angazhimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, ka qenë përafrimi edhe më shumë me standardet e një rregullatori, vend anëtar i BE-së, në favor të garantimit të një tregu audio/audioviziv me tipare edhe më transparente dhe plurale, duke ofruar për ndjekësit produkte të shumëllojshme dhe cilësore”, tha Krasniqi.
Krasniqi u ndal edhe te bashkëpunimi me platformën TikTok, ku u arrit hapja një kanali të dedikuar raportimi, ku Autoriteti ndërmjetëson reflektimin e ankesave të përdoruesve shqiptarë, për përmbajtje të dëmshme, me arsyetimet respektive ligjore mbi shkeljet që përmbajtjet kishin.
“Në funksion të kësaj AMA hapi paraprakisht një dritare të posaçme në faqen e saj web, e cila mundësonte dërgimin e ankesave nga publiku, referuar përmbajtjeve të dëmshme të publikuara në TikTok. Nga ky bashkëpunim, për periudhën gusht-dhjetor 2024, bazuar në raportimet e përdoruesve dhe bashkëpunimin e Platformës, u arrit të hiqeshin 286 video me përmbajtje të papërshtatshme, prej të cilave: 20 për akte dhune, 3 video për gjuhë urrejtje për shkak të orientimit seksual, 2 për urrejtje fetare, 31 për pamje veprash penale, 110 për ekspozimin e fëmijëve ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës, 107 video për nxitje dhune dhe urrejtje dhe 13 audio për gjuhë që tejkalon standardet morale dhe etike të shoqërisë”, theksoi Krasniqi.
Sipas saj, pirateria e produkteve audiovizive shqiptare rezulton fenomen shumë shqetësues.
“Për periudhën gusht-dhjetor 2024 u bllokuan nga Platforma TikTok, 1505 video dhe u mbyllën nga vete platforma 193 profile, të raportuara për pirateri. Për të njëjtën periudhë janë shqyrtuar në total nga ekipet e AMA-s, 743 video për përmbajtje të dëmshme dhe 1513 për pirateri”, tha Krasniqi.
Më tej, Krasniqi tha se “në 77 raste, AMA ka adresuar 62 “tërheqje vëmendjeje” për OSHMA-të dhe në 15 raste “sanksion me gjobë”.
Lidhur me respektimin e të drejtave të transmetimit, Krasniqi vuri në dukje se “AMA gjatë vitit 2024 ka kryer një numër të konsiderueshëm inspektimesh të subjekteve kabllore/IPTV/OTT në terren. Po ashtu, gjatë vitit 2024 ka pasur risi në mënyrën e kryerjes së kontrolleve, pasi specialistë të Drejtorisë së Inspektimit dhe Mbikëqyrjes kanë kryer dhe monitorimin e rrjeteve online, duke identifikuar një sërë rastesh të shitjeve në mënyre abuzive, të produkteve audiovizive”.
Pas identifikimit të këtyre shkelësve, vijoi Krasniqi, AMA, me prova zyrtare i ka raportuar ato pranë institucioneve të tjera ligjzbatuese, si Policia e Shtetit apo në prokurori, sipas specifikave të rastit.
Në lidhje me veprimtarinë inspektuese, Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes në AMA, gjatë vitit 2024, përmes grupeve të veta të inspektimit, ka ushtruar 393 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve.
Kryetarja e AMA-s u shpreh se “gjatë punës për mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregut audio/audioviziv, pas shkeljeve të konstatuara nga OSHMA-të, gjatë vitit 2024, AMA ka vendosur 48 masa administrative me gjobë dhe 107 “Tërheqje Vëmendje””.
Në kuadër të Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës, Krasniqi theksoi se AMA ka për detyrë të adresojë çështje si përqendrimi i tregut mediatik, rritjen e transparencës dhe matjen e audiencës, një nga prioritetet e vazhdueshme të institucionit.
Relatorja e çështjes, Iris Luarasi, u shpreh se pavarësisht përpjekjeve për t’i ndaluar, pirateria mbetet një fenomen shqetësues, ndërsa nënvizoi se AMA duhet të ndërmarrë një rishikim themelor të strategjisë së saj për zbatimin e detyrimeve financiare duke shqyrtuar modelet më të suksesshme të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar një strukturë të posaçme dhe duke rritur bashkëpunimin me institucionet e tjera.
Deputetët e opozitës ngritën pyetje për pavarësinë e AMA-s nga ndikimi politik, shpërndarjen e reklamave publike, piraterinë apo pronësinë mediatike.
Krasniqi tha se “AMA funksionon tërësisht në mënyrë të pavarur. Asnjë nga 500 vendimet, asnjë, zero, nuk është atakuar si i ndikuar politikisht”.
“Ligji na thotë duhet të masni vetëm volumin e reklamës pa e ndarë nëse është publike apo private. E thotë ligji, që gjoba nuk duhet të jetë fryma e rregullatorit. Ligji na thotë gjithnjë: do të shkoni me dy tërheqje vëmendje, pastaj me gjobë”, tha Krasniqi.
Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku ngriti shqetësimin lidhur me publikimin nga mediet të pamjeve të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani vitin e kaluar.
“Sapo u transmetua, ne kemi ndërhyrë në mënyrë interaktive dhe u bë e mundur heqja nga të gjitha mediat brenda ditës të asaj videoje. Të gjitha edicionet janë në AMA dhe mund t’ia bëjmë të qarta babait të Martinit. Atë natë ishin planifikuar emisionet dhe ato nuk e dhanë videon. Kemi ndërhyrë personalisht duke i marrë mediet një nga një, se koha nuk priste”, sqaroi Krasniqi.
1 nga 6/k.s/j.p/r.e/