Krasniqi, takim me delegacionin finlandez të Qendrës për Sundimin e Ligjit

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi zhvilloi sot një takim me delegacionin e Qendrës për Sundimin e Ligjit, një institucion i krijuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Universiteti i Helsinkit, të cilët ndodhen në Tiranë për tryezën e Dialogut për Reforma Politikash, e zhvilluar në bashkëpunim me këtë Qendër, KQZ dhe International IDEA.
Gjatë takimit, Krasniqi i shpjegoi drejtorit të transmetuesit publik finlandez, Timo Huovinen dhe Marjo Naapit, eksperte e Qendrës për Sundimin e Ligjit, mënyrën e funksionimit të AMA-s, ndarjen e punës dhe rolin monitorues gjatë procesit zgjedhor, një detyrë që Autoriteti e kryen nga viti 2021.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës u përqendrua në sfidat aktuale që paraqet tregu mediatik, por edhe puna e AMA-s si rregullatorë, falë zhvillimit të teknologjisë.
Krasniqi u shpreh falënderuese për gatishmërinë e shprehur për të bashkëpunuar në çdo drejtim, dhe në bazë të nevojave që AMA mund të ketë, në të ardhmen.
“Siç na tregoi Huovinen, Finlanda hyn ndër ato vende ku vetërregullimi ka funksionuar më së miri si proces për tregun mediatik, përballë ndryshimeve dhe sfidave të kohës. Prandaj eksperienca të tilla apo shkëmbimi i përvojave, ekspertizës si dhe rritja e kapaciteteve institucionale është gjithmonë një ide e mirë për të qenë të suksesshëm në punën tonë”, u shpreh kryetarja e AMA-s.
1 nga 3/m.m/j.p/