Skemë mashtrimi me bursa studimi në SHBA, Prokuroria dërgon për gjykim 20-vjeçarin

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgoi në gjyq 20-vjeçarin Ermes Hoxhalli, i cili premtonte bursa studimi falas dhe udhëtime në SHBA duke mashtruar zyrtarë të ministrisë nëpërmjet falsifikimeve.
Hoxhalli ndodhet në “arrest me burg”, ndërsa akuzohet për veprën penale “Falsifikim kompjuterik” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
“Nga hetimet rezultoi se ky shtetas krijoi një identitet të rremë si Klea Rama dhe duke përdorur kredencialet e një diplomateje të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Tiranë, ka mashtruar zyrtarë të nivelit vendor arsimor në Shqipëri. Duke pretenduar se udhëheq një projekt për të rinjtë nën logon, ‘Let’s talk together aboutUS’23 dhe 24’ ai lëshoi edhe 19 certifikata pjesëmarrjeje për nxënës dhe të paktën një mësues të shkollës së Mesme “Ali Demi”, Vlorë me temë Projekti Let’s talk together about US’23′”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Nëpërmjet identitetit të krijuar si Klea Rama, shtetasi në fjalë pretendoi se ishte iniciator i projektit ‘Let’s talk together aboutUS’24’ që mbulon Shqipërinë dhe ka për qëllim informimin e studenteve shqiptarë rreth studimeve në Shtetet e Bashkuara, për t’i aktivizuar ata në këto projekte dhe mbështetur disa me shuma financiare nëse kalojnë vlerësimet në kolegje Amerikane.
“Dokumentat e falsifikuara si certifikatat, vulat, firmat, logot, foto dhe videot e këqyrura dhe të sekuestruara nga Prokuroria Tiranë gjatë hetimeve mbi këtë procedim penal, iu gjetën shtetasit E.H në laptopin e tij dhe aparatet celularë. Po aty u gjet edhe adresa e e-mailit klearama25@gmail.com me të cilën komunikonte me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Nga pasqyrimi i fakteve si më sipër, u arrit në përfundimin se me veprimet e tij, i pandehuri E. H., ka konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprave penale të ‘Falsifikim kompjuterik’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentave’, të parashikuara nga Kodi Penal”, përfundon njoftimi i prokurorisë.
/m.m/j.p/