E Martë, 3 Nëntor 2026

Kreshnik Loka, zgjidhet zëvendëssekretar i përgjithshëm i RYCO

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Kreshnik Loka është përzgjedhur zëvendëssekretar i përgjithshëm i RYCO (Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor).

Lajmin e dha ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila theksoi se, Loka ka mbi 10 vite përvojë në fushën e politikave rinore, bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimit të paqes.

Kreshnik Loka ka qenë një nga zërat më të qëndrueshëm dhe vizionarë të angazhimit rinor në rajon.

Si Drejtues i Zyrës Vendore të RYCO në Tiranë që prej vitit 2017, ai ka menaxhuar një portofol grantesh me mbi 35 projekte rajonale rinore, ka bashkëorganizuar mbi 100 aktivitete me aktorë nga i gjithë Ballkani, ka garantuar fonde deri në 1.5 milion €, ka ndërtuar partneritete të qëndrueshme me aktorë kombëtarë, rajonalë dhe europianë, ka përfaqësuar RYCO-n në tryeza ndërkombëtare për rininë, paqen dhe pajtimin.

Përtej rolit të tij në RYCO, ai ka kontribuar si ekspert për organizata ndërkombëtare, dhe ka qenë një nga nismëtarët e themelimit të vetë RYCO-s, përfaqësues i qeverisë shqiptare në grupin punues që e krijoi.

Kreshnik Loka mban një Master në të Drejtat e Njeriut nga London School of Economics, si dhe Master dhe Bachelor në Jurisprudencë nga Universiteti i Tiranës.

“RYCO forcohet edhe më shumë si një strukturë e pavarur rajonale që dëgjon, përfaqëson dhe fuqizon të rinjtë, dhe me Kreshnikun në këtë rol kyç, drejtimi është i sigurt”, thekson mw tej Muzhaqi.

/gj.m//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›