Temperaturat e larta, mjeku Koja: 250 vizita pediatrike në ditë në QSUNT, prindërit të tregojnë kujdes nga dehidratimi

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Temperaturat e larta të verës, dehidratimi, pickimet nga insektet e ndryshme apo helmimet për shkak të ushqimeve të pagatuara mirë apo që rrinë gjatë në ambiente të jashtme, njihen si shkaktarët kryesor që çojnë në infeksione apo sëmundje te moshat pediatrike.
Mjeku kardio-pediatër në Pediatrinë e QSUNT, Dr. Albert Koja shprehet se ditët e fundit fluksi i paraqitjeve në pediatrinë e QSUNT-së është afërsisht 250 në ditë.
Sipas mjekut, nuk ka një shtim të fluksit të rasteve te fëmijët krahasuar me vitin e shkuar, ndërsa diagnozat më të shpeshta janë ato të stinës së verës, si gastroenterite, viroza të shoqëruara me të vjella, diarre dhe me temperaturë.
“Kemi infeksionet virale respiratore, edhe pickimet nga insektet e ndryshme, mushkonjat, bletët, grerëzat. Më të shpeshta janë edhe intoksikimet nga ushqimet e mbajtura jo në kushte frigoriferike ose të gatuara mirë”, tha mjeku Koja.
Dr. Koja u shpreh se simptomat më të rënda, që shoqërohen edhe me temperaturë të lartë për disa ditë me radhë çojnë edhe në shtrimet e fëmijët në spital.
Sipas tij, janë rreth 25 shtrime në ditë, përfshirë edhe ato që vijnë nga rrethet, ku janë rreth 6-7 ambulanca që paraqiten nga rreth në Pediatrinë e QSUNT-së çdo ditë.
Mjeku Koja bëri apel se nëse temperatura te fëmijët zgjat nga 3- ditë, dhe qëndron 37 deri 39, prindërit me fëmijët duhet të paraqiten për ndihmë pranë ambulancave të lagjeve, fshatrave dhe pikave që janë ngritur në bregdet.
“Nëse kjo temperaturë zgjat më shumë se 5 ditë, e nëse mjekët parësor mund të shohin që ka komplikime nga diçka tjetër bakteriale mund të japin ndihmën e parë me antibiotik. Mbi 7 apo 10 ditë që nuk dominohen nga mjekimet ambulatore, atëherë prindërit me fëmijët duhet të paraqiten pranë urgjencës tonë”, tha Koja.
/e.i//a.f/