E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i KLGj-së vizitë studimore në KiE dhe GjEDNj në Strasburg

TIRANË, 24 janar /ATSh/ Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, mori pjesë në një vizitë studimore të organizuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg (Francë), në datat 20-22 janar. Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte marrja e përvojës lidhur me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në çështjet mjedisore dhe zbatimin e vendimeve të GjEDNj-së që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë vizitës, Rusi zhvilloi takime me presidentin e Seksionit të Tretë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, i cili mbulon çështjet për Shqipërinë, Ioannis Ktistakis, me kancelaren e kësaj gjykate, Marialena Tsirli, si dhe me gjyqtarin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Darian Pavli.

Gjithashtu, Rusi pati një takim me drejtorin e Divizionit të Programeve për Bashkëpunim të Këshillit të Evropës, Giovanni Battista Celiento.

Çështjet e diskutuara në këto takime ishin adresimi i gjetjeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, roli dhe marrja e masave nga KLGj-ja për uljen e çështjeve të prapambetura, si edhe kohëzgjatja e proceseve gjyqësore në Shqipëri.

Gjithashtu, gjatë vizitës, Rusi mori pjesë në një seancë gjyqësore në Dhomën e Madhe të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo vizitë studimore, ndër të tjera, shërbeu edhe për njohjen dhe shkëmbimin e praktikave dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë.

1 nga 2

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›