Policia e Tiranës sqaron shoqërimin e një të mituri gjatë një tubimi

TIRANË, 24 janar /ATSH/ – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar lidhur me shoqërimin e një të mituri në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, gjatë një tubimi të mbajtur ditën e sotme.
Sipas Policisë, gjatë veprimeve të shërbimeve për parandalimin e sjelljeve dhe veprimeve të rrezikshme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Për këtë arsye, ai është shoqëruar për verifikim, ku rezultoi të ishte 14 vjeç.
Policia sqaron se në asnjë moment i mituri nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur të ndaluar apo të shoqëruar, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm dhe është trajtuar me kujdes, në përputhje me parimet dhe garancitë ligjore për të miturit. Ai është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor.
Në lidhje me veprimet e punonjësve të Policisë gjatë trajtimit të këtij rasti, Policia e Shtetit bën me dije se është njoftuar menjëherë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për verifikimin e plotë të rastit.