E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krimet zgjedhore, Berisha: Asnjë kallëzim i opozitës në SPAK nuk u bë pa prova

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se asnjë kallëzim penal i opozitës për krimet zgjedhore nuk është bërë pa prova.

Duke iu referuar deklaratës së kreut të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumanit se sipas tij janë depozituar kallëzime pa prova, Berisha tha se ai vetë çdo ditë po dokumenton publikisht “farsën elektorale të 11 majit”. Berisha e cilësoi kreun e SPAK si “kriminel elektoral”, teksa shtoi se “është edhe ai përgjegjës për farsën elektorale”.

“Të garantoj se asnjë kallëzim, asnjë kallëzim të vetëm penal, opozita nuk ka bërë pa provat zyrtare të pakundërshtueshme. Asnjë padi e jonë nuk bazohet pa prova. Është skandal të thotë se nuk kanë prova. Ju jeni këtu, çfarë kam paraqitur unë? Unë çdo ditë kam paraqitur vetëm prova, saqë jam përpjekur që të mos bëhem monoton dhe i mërzitshëm për publikun dhe për ju, dhe kam paraqitur as 1/10 e atyre. Çfarë e pengon atë që t’i marrë këto prova? Por ai është një kriminel elektoral vetë”, tha ndër të tjera Berisha.

Berisha shtoi se Dumani ka marrë në mbrojtje gjyqtaren Irena Gjoka, edhe pse, sipas tij, ka dijeni për krimet e kësaj të fundit.

Sipas Berishës, një veprim i tillë nga ana e kreut të SPAK bëhet me qëllimin e vetëm, trillimin e një dosjeje penale pa emër, si e vetmja mënyrë për ta shpëtuar nga ndjekja penale.

“Meqenëse ai sot deklaroi se po hetohet për fakte të tjera penale, ai keqpërdoret në shkallë ekstreme, siç po bën me Irenën me 5 mbiemra, të cilën për ta mbrojtur nga krimet e saj, i hap çështje penale pa emër në mënyrë që të thotë po hetoj dhe të na dalë nesër se dikush ia ka grabitur pasaportën Irenës dhe ka shkuar në Janinë dhe është dënuar me burg personi që i ka grabitur… ose ndonjë tjetër, ndonjë trillim”, tha Berisha.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›