E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza në Lindjen e Mesme, BE garanton furnizimin me naftë, por paralajmëron rritje të çmimeve

Bashkimi Evropian ka siguruar qytetarët dhe industritë se nuk parashikon ndërprerje të furnizimeve me naftë për muajin prill, pavarësisht konfliktit të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme dhe bllokimeve në Ngushticën e Hormuzit. Ky njoftim erdhi pas mbledhjes emergjente të Grupit të Koordinimit të Naftës në Bruksel, ku u analizuan risqeve globale të energjisë.

Edhe pse sasia e naftës në tregun evropian konsiderohet e mjaftueshme, zyrtarët e BE-së pranuan se kriza po jep efektet e para te çmimet e karburanteve.

“BE-ja ka mjetet e nevojshme për të menaxhuar krizën,” deklaroi një zyrtar i lartë i bllokut, duke shtuar se aktualisht po përgatiten një sërë veprimesh konkrete për të ndihmuar shtetet anëtare që të zbusin goditjen financiare mbi konsumatorët dhe bizneset.

Industritë në alarm, transporti ajror dhe logjistika

Në takimin e sotëm morën pjesë edhe përfaqësues të industrive më të prekura, si linjat ajrore dhe kompanitë e karburanteve. Ekspertët shpjeguan se ndikimi në treg pritet të jetë i kufizuar falë kohëzgjatjes së tranzitit, pasi rezervat ekzistuese mbulojnë nevojat e menjëhershme; diversifikimi i rrugëve të furnizimit; mekanizmat mbrojtës për kontratat afatgjata.

Megjithatë, bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani mbetet “pika e nxehtë” që mund të diktojë koston e transportit dhe sigurimeve në ditët në vijim.

Për të monitoruar situatën minutë pas minute, BE ka caktuar një axhendë intensive mbledhjesh si mbledhja e Grupit të Koordinimit të Gazit për të vlerësuar sigurinë e furnizimit me gaz natyror; takimi i Task Forcës së BE-së për Sigurinë e Energjisë. Fokus i veçantë do t’u jepet implikimeve të krizës në çmimet e tregut me pakicë.

Rrugët tregtare

Ngushtica e Hormuzit është pika më kritike e kalimit për naftën botërore. Çdo bllokim i zgjatur aty mund të detyrojë flotat tregtare të ndjekin rrugë më të gjata dhe më të kushtueshme, çka reflektohet menjëherë në faturat e energjisë në Evropë.

Blloku evropian duket i vendosur të tregojë unitet dhe gatishmëri teknike për të parandaluar një krizë energjetike të ngjashme me atë të vitit 2022, duke u mbështetur te rezervat strategjike dhe bashkëpunimi i ngushtë mes shteteve anëtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›