E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënshkruhen marrëveshjet për projektin “Korpusi i Institucioneve të Pavarura”

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Korporata Shqiptare e Investimeve nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me partnerë publikë për realizimin e projektit strategjik “Korpusi i Institucioneve të Pavarura”, nismë që synon modernizimin e infrastrukturës administrative dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtoresha e Korporatës, Elira Kokona, theksoi se projekti përfaqëson hap të rëndësishëm drejt transformimit urban dhe institucional.

“Ky projekt synon jo vetëm lehtësimin e aksesit në shërbime për qytetarët, por edhe rigjallërimin e zonës, përmes transformimit të pronave publike të amortizuara në një kompleks administrativ bashkëkohor, me ndikim të dukshëm funksional dhe urban”, u shpreh Kokona.

Sipas saj, “Korpusi i Institucioneve të Pavarura” do të përqendrojë në një hapësirë të vetme disa prej institucioneve kryesore të pavarura në vend, duke krijuar sinergji në funksionim dhe duke përmirësuar ndjeshëm eficiencën e shërbimeve publike.

Në këtë kompleks do të përfshihen institucione si INSTAT, Avokati i Popullit, Autoriteti Konkurrencës, Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, Komisioni për Shërbimin Civil, Komisioni për Prokurimin Publik, si dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ky projekt pritet të ndikojë pozitivisht jo vetëm në përmirësimin e kushteve të punës për administratën publike, por edhe në rritjen e transparencës dhe aksesit të qytetarëve në institucionet e pavarura.

“Korpusi i Institucioneve të Pavarura” konsiderohet si një nga investimet e rëndësishme në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin urban të kryeqytetit.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›