Kryevepra e Onufrit “Shën Maria me Krishtin” rikthehet për publikun pas 3 muaj restaurim

Ikona monumentale “Shën Maria me Krishtin në krahun e djathtë”, vepër e atribuar mjeshtrit të madh Onufri dhe e ekspozuar në Berat, është prezantuar sërish për publikun pas një procesi të kujdesshëm restaurimi.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamje nga vepra e restauruar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.
Sipas tij, ndërhyrja restauruese ka zgjatur tre muaj dhe është realizuar në Laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit pranë Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri”.
Punimet janë fokusuar në konsolidimin e shtresave piktorike dhe pastrimin e sipërfaqes së ikonës, duke rikthyer shkëlqimin origjinal të veshjes së argjendtë, e cila ishte errësuar ndër shekuj nga oksidimi dhe papastërtitë e akumuluara.
“Pas një procesi të kujdesshëm restaurimi të realizuar përgjatë tre muajve në Laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit pranë Muzeut Kombëtar Ikonografik Onufri, ikona monumentale “Shën Maria me Krishtin në krahun e djathtë”, vepër e atribuar mjeshtrit Onufri në Berat, prezantohet sërish për publikun. Ndërhyrja restauruese u përqendrua në konsolidimin e shtresave piktorike dhe pastrimin e sipërfaqes së ikonës, duke rikthyer edhe shkëlqimin e veshjes së saj të argjendtë, të errësuar ndër shekuj nga oksidimi dhe papastërtitë e akumuluara”, shkruan Gonxhja.
/rtsh.al/