Kthehet në Shqipëri pas studimeve në Oxford, Gjeloshaj: Sistem favorizues taksash dhe treg i mirëpaguar pune

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Jurgen Gjeloshaj është në vitin e fundit të studimeve në Oxford për inxhinieri elektromekanike dhe ka vendosur të kthehet në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale dëshminë e Gjeloshajt, i cili tregoi se ka vendosur të kthehet në Shqipëri, pasi mendon se vendi ofron mundësi shumë të mëdha.
Gjeloshaj tregoi se bashkëpunon me kompaninë e njohur BMW, por Shqipërinë e sheh si një mundësi të mirë për të vijuar karrierën e tij në këtë fushë.
“Gjatë studimeve të mia kam drejtuar ekipin e Robotikës në universitet, si dhe kam punuar në fushën e kërkim-zhvillimit me kompaninë BMW. Megjithatë sot unë shoh të ardhmen e karrierës sime në Shqipëri. Shqipëria ofron mundësi të jashtëzakonshme për të rinjtë që aspirojnë në fushën e inxhinierisë, teknologjisë dhe biznesit”, u shpreh ai.
Sipas tij, Shqipëria ka një sistemi favorizues taksash, treg të mirë pune, iniciativa të vazhdueshme për mbështetjen financiare të startup-eve për të rinjtë.
“Rritja e vazhdueshme e pagesës dhe kërkesës për profesionistë janë vetëm disa nga arsyet përse Shqipëria është investimi i duhur”, u shpreh ai.
Po ashtu, numri në rritje i kompanive ndërkombëtare që kanë hyrë në vendin tonë, duke mos harruar pa përmendur ruajtjen e lidhjes me familjen dhe të afërmit, të gjitha arsye se pse Jurgeni ka zgjedhur vendlindjen duke nisur një kapitull të ri për veten dhe kontributin që dëshiron të japë për Shqipërinë.
Gjeloshaj u bëri një thirrje të rinjve jashtë vendit të kthehen në vendlindje. “Largimi është dorëheqje dhe dorëheqja nuk duhet të jetë më opsion për të rinjtë. Së bashku mund të nisim një kapitull të ri për Shqipërinë, si vend i emancipuar, i mundësive dhe i të ardhmes. Unë sot zgjedh vendlindjen time, zgjedh Shqipërinë”, tha ai.
/m.m/r.e/