E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuadër i ri ligjor për bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare të shoqërive tregtare Shqipëri-BE

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare”.

Ky projektligj synon krijimin e një kuadri të plotë ligjor që rregullon kushtet dhe procedurat për shndërrimet, bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare ndërmjet shoqërive tregtare shqiptare dhe atyre të vendeve të Bashkimit Evropian.

Përcaktimi i rregullave të unifikuara ka për qëllim sigurimin e transparencës, sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë për të gjitha subjektet e përfshira në këto operacione.

Një objektiv kyç është përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së, konkretisht transpozimi i Direktivës (BE) 2019/2121 që ndryshon Direktivën (BE) 2017/1132 për këto operacione, duke siguruar një mjedis ligjor të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për ndërmarrjet dhe investitorët.

Po ashtu, projektligji synon mbrojtjen e interesave të aksionarëve, kreditorëve dhe punëmarrësve të shoqërive të përfshira, përmes mekanizmave mbrojtës si e drejta e aksionarëve të pakicës për t’u tërhequr me kompensim të drejtë, garantimin e të drejtave të kreditorëve dhe përfshirjen e punëmarrësve në procesin e vendimmarrjes.

Ky ligj pritet të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, rritjen e besimit të investitorëve të huaj dhe integrimin e vendit në tregun e përbashkët evropian, duke rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

Procesi i verifikimit të ligjshmërisë dhe certifikimit paraprak për bashkimet ndërkufitare është disi më i ndërlikuar, pasi përfshin autoritetet e disa vendeve.

Projektligji përcakton që për shoqërinë shqiptare pjesëmarrëse, noteri i autorizuar (si autoritet kompetent) mbledh dhe kontrollon dokumentacionin e secilës shoqëri shqiptare në bashkim, sigurohet që të gjitha të drejtat e aksionarëve, punonjësve e kreditorëve janë respektuar, dhe në fund lëshon certifikatën e parabashkimit për shoqërinë shqiptare.

Kjo certifikatë konfirmon se faza përgatitore e bashkimit është e ligjshme në Shqipëri.
Në mënyrë të ngjashme, autoritetet përkatëse në shtetin tjetër pjesëmarrës (mund të jenë noterë, gjykata apo regjistrat tregtarë atje) lëshojnë certifikatat e tyre për shoqëritë e huaja pjesëmarrëse.

Më pas, autoriteti i vendit të shoqërisë që rezulton (p.sh. nëse shoqëria pas bashkimit do të ketë selinë në Shqipëri, autoriteti është sërish noteri/QKB-ja jonë; nëse do të jetë jashtë, autoriteti përkatës atje) kontrollon certifikatat e parabashkimit të të gjitha shoqërive pjesëmarrëse dhe aktin e bashkimit (marrëveshjen e nënshkruar).

Kur shoqëria e re/pasardhëse është shqiptare, noteri shqiptar pasi verifikon certifikatat e lëshuara nga autoritetet e huaja dhe përmbushjen e procedurave të themelimit të shoqërisë së re (kur ka një të tillë), përgatit aktin përfundimtar noterial të bashkimit dhe njofton QKB-në të regjistrojë bashkimin. Kur shoqëria pasuese është jashtë, atëherë autoriteti i huaj kryen këto veprime përfundimtare dhe QKB-ja, mbi bazën e njoftimit nga autoriteti i huaj, çregjistron shoqërinë shqiptare që u bashkua.

Projektligji parashikon gjithashtu skenarë të veçantë, si bashkimin e shoqërisë mëmë me një shoqëri bijë dhe përfaqësimin e punëmarrësve në organet e shoqërisë pasuese, në përputhje me legjislacionin evropian për përfshirjen e punonjësve në shoqëritë evropiane.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›