Kultivimi i duhanit në Rragam dhe Sheldi, banorët mes traditës së mbjelljes dhe sfidës së tregut

Fshatrat Rragam dhe Sheldi pjesë e njësisë administrative të Gurit të Zi, prej dekadash njihen si zona tradicionale të kultivimit të duhanit.
Për shumë familje në këto fshatra, kjo kulturë mbetet burimi kryesor i të ardhurave dhe mjeti i vetëm i sigurimit të jetesës.
Fermerët kanë përfunduar tashmë procesin e mbjelljes së fidanëve të rinj, duke shpresuar për një sezon të mbarë.
Ata theksojnë se përmes kësaj pune arrijnë të mbajnë familjet e tyre, por një nga sfidat më të mëdha mbetet mungesa e një tregu të qëndrueshëm për shitjen e prodhimit.
“Kjo zonë është marrë kryesisht me kultivimin e duhanit”, u shpreh një kultivues.
“Ne si fshat kemi një standard shumë të mirë për prodhimin e duhanit”, tha një tjetër kultivues.
Duhani i kësaj zone vlerësohet për cilësinë e lartë dhe karakterin natyral, duke qenë një produkt i preferuar për konsumatorët që kërkojnë pastërti dhe autenticitet. Megjithatë, pa një zgjidhje për tregtimin, përpjekjet e fermerëve rrezikojnë të mos shpërblehen siç duhet.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/