E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kumbaro: 25 milionë euro financim për kërkimin shkencor, dyfishohen investimet kapitale - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se kërkimi shkencor është programi buxhetor që përfiton rritjen më të shpejtë në raport me vetveten në projektbuxhetin e arsimit për vitin 2027.

Në prezantimin e sotëm në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Kumbaro tha se “programi financohet me 2,27 miliardë lekë, afërsisht 25 milion euro, me një rritje 28,2%. Investimet kapitale nga buxheti i shtetit pothuajse dyfishohen, nga 350 në 650 milionë lekë. Sipas planit që kemi berë, kjo rritje shkon në 750 milionë lekë në 2028 dhe 850 milionë në 2029. Pra vetëm për investimet kapitale në programin e kërkimit shkencor financojmë 2,25 miliardë lekë në tre vjet, dhe bashkë me financimin e huaj arrijnë 3,45 miliardë lekë, rreth 38 milionë euro”.

“Në 2027 financohen projektet kërkimore të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit me 584 milionë lekë dhe tre laboratorë të rinj në universitete, me 66 milionë: një laborator për analizimin e komponimeve; një projekt për modifikimin termik të materialeve në Universitetin Bujqësor, dhe Laboratori i Simulimit Virtual të Imazherisë Diagnostike në Universitetin e Mjekësisë. Ndërkohë, brenda muajit nëntor, hapim edhe thirrjen për Projektet e Infrastrukturës në Kërkimin Shkencor, thirrje e dedikuar vetëm për investimet në laboratorët e universiteteve publike dhe infrastrukturës së nevojshme për të kryer kërkim shkencor”, tha ministrja Kumbaro.

Kumbaro shtoi se “Ministria e Arsimit paguan edhe kuotën e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programet ndërkombëtare që më pas sjellin projekte për universitetet dhe kërkuesit, siç janë Horizon Europe dhe Erasmus+, por gjithashtu edhe duke financuar bursat Fulbright të studentëve, për të studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e të gjitha këto shkojnë në shumën 360 milionë lekë”.

Duke folur për mbështetjen e programit të doktoraturave, ministrja Kumbaro sqaroi se “në të njëjtën linjë është thirrja për Financimin e Studimeve të Doktoraturës 2026, e hapur këto javë: buxheti i dedikuar kaloi 670 mijë euro, nga rreth 100 mijë vitin e kaluar, me mbështetje deri në 10 mijë euro për doktoraturat standarde dhe deri në 30 mijë euro për ato industriale”.

/e.i/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›