Shkodër, drejt përfundimit streha e re për qentë endacakë, me klinikë veterinare - ATSH -
SHKODËR, 3 nëntor, ATSH/ Punimet për ndërtimin e strehës së re për qentë endacakë në Shkodër janë në fazën përfundimtare. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili publikoi pamje nga ambientet e reja.
Sipas tij, aktualisht po përmbyllen punimet rrethuese dhe vendosja e dyerve të kafazeve.
Struktura e re do të përfshijë edhe një klinikë veterinare, ku do të ofrohen shërbime për kujdesin shëndetësor, trajtimin dhe sterilizimin e qenve.
Nisma synon të përmirësojë menaxhimin e pranisë së qenve endacakë në hapësirat publike, si dhe të garantojë kushte më të mira për kujdesin ndaj tyre.
Kryetari i Bashkisë e cilësoi projektin një hap të rëndësishëm drejt një qyteti më të sigurt dhe trajtimit dinjitoz të kafshëve.
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
