Policia Rrugore e Tiranës: 39 të proceduar penalisht, 29 mjete të bllokuara

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka bërë bilancin e javës që lamë pas, ndërsa bën me dije se 39 shtetas janë proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, nga të cilët 22 janë vënë në pranga.
Sipas Policisë Rrugore, gjithashtu gjatë javës që u mbyll, 29 mjete janë bllokuar.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se në fokus javës që kaloi ishin kontrollet për përdorimin e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
“Për shkeljen e këtij rregulli janë vënë 987 masa administrative, ndërsa vazhdojnë kontrollet për automjetet e parkuara në mënyrë të gabuar, që zënë hapësirat në vendet e rezervuara për mjetet e transportit publik(autobusë, taksi) dhe korsi biçikletash. Për këtë shkelje, janë tërhequr me mjet ngritës 29 automjete”, thuhet në njoftim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, janë në terren 24/7 me mjete bashkëkohore dhe patrulla shtesë, për të parandaluar aksidentet, për të konstatuar shkeljet dhe për të menaxhuar trafikun.
Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor: të mos kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë, si dhe të mos drejtojnë mjetin në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe iu garanton reagim të menjëhershëm dhe konform ligjit.
/a.f/