Kumbaro dhe Nënsekretari i OKB-së në shkollën “Emin Duraku”: Shembull i suksesit të “EU4Schools”

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim pune me nënsekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe administratorin në detyrë të UNDP, Haoliang Xu, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Në kuadër të kësaj vizite, ministrja Kumbaro, së bashku me Xu, Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, dhe përfaqësues të UNDP Albania, vizituan shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë, një nga 62 shkollat e ndërtuara ose të rikonstruktuara në kuadër të projektit “EU4Schools”.
Shkolla, e rindërtuar pas tërmetit të vitit 2019, përfaqëson një standard të ri për infrastrukturën arsimore në Shqipëri, duke përmbushur kërkesat më të larta të sigurisë ndërkombëtare, eficiencës energjetike dhe aksesueshmërisë për të gjithë nxënësit.
“Takimi me nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Emin Duraku” ishte frymëzues. Kjo shkollë moderne është më shumë se një godinë është një hapësirë ku talenti i fëmijëve zhvillohet përmes sportit, teknologjisë, artit dhe zejeve,” u shpreh ministrja Kumbaro.
Projekti “EU4Schools”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP, përfaqëson një investim strategjik në të ardhmen e arsimit në Shqipëri, duke ofruar mjedise të sigurta, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për mijëra fëmijë në të gjithë vendin.
/e.xh//r.e/