Kumbaro në Himarë: Këtë vit më shumë plazhe publike

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka vijuar inspektimet në plazhet e bregdetit Jon ku në bashkinë Himarë, pas aksioneve për lirimin e plazheve, hapësirat publike pothuajse janë dyfishuar.
E shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe kryetari i bashkisë së Himarës Vangjel Tavo, Kumbaro u ndalua gjatë inspektimit nga një pushues shqiptar, që kishte ardhur bashkë me të fejuarën italiane, vjehrrin dhe vjehrrën për të shijuar plazhet dhe bukuritë e bregdetit shqiptar.
I riu, u prezantua me emrin Raul dhe gjatë bisedës me dy ministrat Kumbaro dhe Hoxha, ai shprehu kënaqësinë që këtë vit ka më shumë plazhe publike në dispozicion të pushuesve, në dallim nga vitet e kaluara.
“Ka më shumë plazhe publike sivjet. Ti mund ta vendosësh peshqirin apo shezlongun jo vetëm në plazhe publike, por edhe në plazhet private në buzë të detit sepse është e lejuar. Askush nuk do të të ndalojë”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se fjalët e mira të pushuesve përtej kënaqësisë, shtojnë edhe me shumë përgjegjësinë për këtë sezon turistik.
Gjatë inspektimit në plazhet e Himarës, ministrja kërkoi nga të gjithë administratorët e plazheve private të respektojnë distancën 2.5-3 metra buzë detit si hapësirë publike, si dhe koordinim mes bashkisë dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit për mirëmbajtjen dhe pastrimin e plazheve publike.
/e.i/j.p/