Kurti: Serbia po shkel marrëveshjen bazike, hapi i parë dorëzimi i Radojiçiç

PRISHTINË, 16 qershor/ATSH/- Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk mund të ndodhë pa përmbushjen e obligimeve nga ana e Beogradit, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Dorëzimi i terroristit Milan Radojiçiç tek autoritetet e Kosovës, Kurti tha se është hapi i parë që duhet të ndërmarrë Serbia.
Këto deklarata Albin Kurti i bëri pas ceremonisë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime.
“Ne kemi një marrëveshje bazike me Serbinë, e cila po shkelet nga Serbia dhe natyrisht që për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë, Milan Radojçiç-in, kryekriminelin i cili na vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pastaj, të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen bazike me aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht ta tërheqin letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja Brnabiç pati thënë që nuk respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.
Ai foli edhe për bojkotimin e votimit nga deputetët që marrin pjesë në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit.
“Unë çdo herë shkoj aty që ta konstituojmë Kuvendin. Ata që vijnë por bojkotojnë duke mos votuar, nuk e di pse vijnë. Por, për bindjen time ardhja në vazhdim të seancës dhe bojkotimi i votimit, politikisht është sjellje e papërgjegjshme, juridikisht është shkelje e Kushtetutës, meqenëse 128 e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014, thotë që ‘të gjithë, përkatësisht secili deputet duhet të votojë për, kundër apo abstenim’. Sepse, konstituimi i Kuvendit nuk është përgjegjësi vetëm përgjegjësi e mazhorancës por e të gjithëve”, ka thënë ai.
Ai iu ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në votim, duke e konsideruar këtë si rrugëdalje nga ngërçi politik.
“Ju bëj thirrje edhe një herë deputetëve që, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me të drejtën e obligimet e tyre, të marrin pjesë në votim. Meqë e provuam votimin e hapur, le ta provojmë edhe votimin e fshehtë, sepse kështu e parasheh edhe aktgjykimi i datës 26 gusht 2014,” u shpreh Kurti. /KosovaPress/