Kurti: Shpërndarja antikushtetuese e Kuvendit pamundësoi ratifikimin e marrëveshjeve prej 121 milionë eurosh

PRISHTINË, 6 mars /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se shpërndarja e Kuvendit ishte antikushtetuese dhe ka pamundësuar mbajtjen e një seance të planifikuar për pasditen e së premtes, në të cilën pritej të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare.
Sipas tij, seanca ishte parashikuar të mbahej në orën 14:00 dhe kishte për qëllim miratimin e projekteve që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe energjetik të vendit.
“Në orën 14:00 ishte planifikuar që Kuvendi të mbante edhe një seancë, në të cilën do të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të vendit”, tha Kurti, gjatë konferencës për media.
Kurti tha se ndër marrëveshjet që pritej të shqyrtoheshin ishte një me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 50 milionë eurosh për eficiencë të energjisë, si dhe një tjetër marrëveshje me të njëjtin institucion në vlerë prej 25 milionë eurosh. Po ashtu, ishte planifikuar ratifikimi i një marrëveshjeje me Bankën Evropiane për Investime (BEI) në vlerë prej 33 milionë eurosh për rritjen e kapaciteteve energjetike.
Sipas tij, në rend dite ishte edhe një marrëveshje me Fondi Saudit për Zhvillim për financimin e projektit të shtrimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë e Jugut.
“Pra, bëhej fjalë për marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 121 milionë euro, të dedikuara për projekte të rëndësishme jetike për qytetarët tanë. Me shpërndarjen e Kuvendit, pamundësohet realizimi i këtyre projekteve dhe përfitimi i 121 milionë eurove për qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.
Po ashtu, Kurti e cilësoi vendimin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, si antikushtetues.
“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.
“Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars”, shtoi ai. /REL/