E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm në SHBA: Rriten vdekjet nga infarkti te personat nën 55 vjeç

TIRANË, 6 mars /ATSH/- Gjëja e fundit për të cilën duhet të shqetësohet një person në të 30-at ose 40-at e tij është vdekja nga një infarkt në zemër.

Por, një studim i ri tregon se gjithnjë e më shumë persona po përballen me këtë rrezik.

Përqindja e të rriturve nga mosha 18 deri në 54 vjeç që vdiqën nga një infarkt i rëndë në zemër u rrit me 57% midis viteve 2011 dhe 2022, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “Journal of the American Heart Association”.

Shumica e personave që vdiqën ishin burra, por gratë regjistruan një përqindje më të lartë se burrat.

Studimi ofron provat më të fundit se shëndeti i të rinjve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përkeqësohet, duke përfshirë vdekjet nga sëmundje që tradicionalisht lidhen me moshën e madhe, si sëmundjet e zemrës dhe kanceri.

Shëndeti i dobët tek të rinjtë është një nga arsyet pse sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht dekadave të përparimeve në mjekësi që kanë shpëtuar miliona jetë nga infarktet dhe ngjarje të tjera kërcënuese për jetën që lidhen me zemrën.

Sipas studimit, faktorët kryesorë të rrezikut që po nxisin këtë rritje përfshijnë:

• diabetin,
• sëmundjet kronike të veshkave,
• përdorimin e drogës.

Edhe të ardhurat e ulëta mund të luajnë një rol të rëndësishëm, nëse një person nuk ka mundësi të përballojë trajtimin mjekësor.

Studimi zbuloi gjithashtu se një përqindje më e lartë e grave sesa e burrave kishin:
• diabet,
• obezitet,
• sëmundje kronike të veshkave,
• dhe të ardhura të ulëta.

Studiuesit analizuan gati një milion raste shtrimi në spital të personave nga mosha 18 deri në 54 vjeç gjatë periudhës 2011–2022, të cilët u shtruan për herë të parë për shkak të një infarkti të rëndë në zemër.

Rezultatet treguan se vdekjet u rritën si tek burrat ashtu edhe tek gratë, megjithatë gratë kishin më shumë gjasa të vdisnin pas infarktit të parë.

Infarkti shpesh konsiderohet si një sëmundje që prek kryesisht të moshuarit.

Por, këto gjetje sugjerojnë se edhe të rinjtë po përballen gjithnjë e më shumë me këtë rrezik.

Mjekët theksojnë se përmirësimi i parandalimit dhe identifikimi më i hershëm i faktorëve të rrezikut, mund të ndihmojë në uljen e numrit të vdekjeve tek të rinjtë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›