E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurti: S’ka koalicion, votoni për interes publik dhe jopartiak

PRISHTINË, 26 tetor/ATSH/ I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se nuk kanë arritur koalicion për formimin e qeverisë, raporton KosovaPress.

Në foltoren e Kuvendit, ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme për formimin e qeverisë, Kurti tha po ashtu se po të pranohej oferta e tyre për bashkëpunim, sot vendi do të kishte qeverinë e re.

Sipas tij, sot qeveria e re propozohet si një akt i shërbimit ndaj vendit dhe jo si “një produkt i koalicionit”.

“Pa votimin e qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja me disa institucione jofunksionale”, tha ai.

“Qeveri do të ketë, por në detyrë. Deputetët do ta kenë të pamundur ta mbikëqyrin një qeveri në detyrë sepse nuk kanë mandat për këtë”, shtoi ai.

Lëvizjes Vetëvendosje, kryetar i së cilës është Albin Kurti, i duhen së paku edhe pesë vota që të sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për votimin e suksesshëm të qeverisë së re.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 deputetë në Kuvend, ndërkaq përkrahje ka siguruar edhe nga tetë deputetë të komuniteteve jo shumicë.

Para fillimit të seancës së sotme, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate deklaruan se nuk do të votojnë për qeverinë Kurti III. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›