Reshjet e dendura përfshijnë vendin, më të prekurat Shkodra dhe Kukësi

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të Shqipërisë, ku situata më e vështirë paraqitet në Shkodër dhe Kukës.
Në bashkinë Vau i Dejës në qarkun e Shkodrës, prefektura raporton për përmbytje të disa banesave në njësitë administrative Bushat, Vau i Dejës dhe Hajmel. Po ashtu, është vënë re rritje e nivelit të ujit në lumin Glinë, duke rritur rrezikun për daljen e tij nga shtrati.
Në bashkinë Fushë Arrëz janë shënuar rënie gurësh dhe inertesh në rrugë rurale dhe prani uji në disa akse rrugore.
Ndërkohë, në njësinë administrative Gur i Zi po merren masa për pastrimin e urës dhe përroit që ka krijuar problematika.
Situata po monitorohet vazhdimisht nga strukturat vendore dhe autoritetet përgjegjëse.
Edhe qarku i Kukësit është përfshirë nga moti i keq, me reshje intensive dhe mjegull të dendur në zonat e ulëta dhe luginore.
Për pasojë, raportohen vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore rurale dhe nacionale, kryesisht në segmentet Qafë Mali–Fierzë, Kukës–Bushtricë, Kukës–Shishtavec, Kukës–Kam–Tropojë dhe Kukës–Bushtricë–Peshkopi, ku ka prezencë uji në sipërfaqe dhe rënie gurësh.
Në segmentin Kolsh–Tuneli i Kalimashit, mjegulla e dendur ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve, ndërsa në disa pjesë të tjera është raportuar rrëshqitje dherash.
Sipas informacioneve zyrtare, reshjet e shiut kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës, me rreth 30 centimetra në ditë.
Autoritetet janë në terren dhe po vijojnë monitorimin nga afër të të gjitha zonave me rrezikshmëri të shtuar.
Apelohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit, veçanërisht në segmentet rrugore ku ka ujë në sipërfaqe dhe rënie gurësh. /j.p/