E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti drejt formimit të qeverisë i vetëm

PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit po kryeson në zgjedhjet e 28 dhjetorit, teksa numërimi i votave është drejt përfundimit.

Me 93.43 për qind të votave të numëruara (deri në orën 21:40), LVV-ja ka 411.120 vota apo 49.99 për qind.

Diferenca në vota mes partisë së Kurtit dhe PDK-së së Bedri Hamzës – që është në vend të dytë me 21.07 për qind të votave – është 237.875 vota.

Sipas rezultateve të fundit të publikuara nga KQZ-ja, LVV është rrugës për të formuar vetë ekzekutivin e ri të vendit.

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë.

Procesi i votimit u zhvillua në 910 qendra me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.

Sipas të dhënave preliminare, dalja në zgjedhje është 45 për qind.

Zgjedhjet u monitoruan nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›