E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti për ATSH: 37 aplikime për “Paketën e Maleve” në Kurbin, fokus infrastruktura dhe zhvillimi lokal

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Bashkia e Kurbinit vijon me prioritet zbatimin e nismës së qeverisë “Paketa e Maleve”, një iniciativë që synon të tërheqë investime dhe të rigjallërojë ekonomikisht zonat malore të Bashkisë.

Në një intervistë për ATSH-në, nënkryetari i bashkisë Kurbin, Eduart Kurti theksoi rëndësinë e paketës për zhvillimin lokal.

“”Paketa e Maleve” përbën një mundësi të mirë për tërheqjen e investimeve në zonat malore dhe për rigjallërimin ekonomik, social dhe turistik të tyre”, deklaroi Kurti. Sipas tij, kjo paketë ofron lehtësira të konsiderueshme për investitorët dhe për të është treguar interes i lartë, me 37 aplikime të paraqitura deri tani, ndërsa në vijim pritet që të paraqiten kërkesa të tjera.

Ai tha se, “si bashki kemi bërë identifikimin e zonave prioritare dhe krijimin e kushteve konkrete që këto iniciativa të mos mbeten vetëm në letër, por të kthehen në investime reale në terren”.

Kurti theksoi se viti 2026 synon të jetë një vit i investimeve të prekshme dhe i hapave konkretë drejt zhvillimit të qëndrueshëm, duke shfrytëzuar çdo mundësi për të ndërtuar një ekonomi lokale më të fortë dhe një cilësi jete më të mirë për qytetarët.

Zonat malore të bashkisë Kurbin që plotësojnë kriteret për këtë paketë përfshijnë drejtime kryesore zhvillimi si ekonomia vendore, infrastruktura, arsimi, mbrojtja e mjedisit, turizmi dhe ruajtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.

Kurti vuri në dukje gjithashtu se, “zhvillimi i zonave malore ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore”, duke adresuar izolimin gjeografik dhe mungesën e mundësive ekonomike.

Ai u ndal dhe tek investimet e përgjithshme që ka projektuar Bashkia Kurbin të zbatojë për vitin 2026, ku në fokus janë projekte konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të territorit.

“Prioritet mbetet infrastruktura rrugore, ndriçimi publik, menaxhimi i mbetjeve, përmirësimi i shërbimeve bazë, si dhe mbështetja e zhvillimit rural dhe turizmit përmes agroturizmit, promovimit të produkteve lokale dhe investimeve në infrastrukturën e nevojshme”, tha ai.

Kurti bëri të ditur 25 projekte të reja që kanë nisur dhe do të zbatohen gjatë vitit 2026 në infrastrukturën rrugore që ndërlidh qytetin me zonat rurale, duke ndikuar kështu në zhvillimin e ekonomisë rurale.

Gjithashtu ai njoftoi se, kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara ka dorëzuar kërkesën pranë Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor për shpalljen e zonave prioritare të zhvillimit, ndërsa pritet miratimi nga Këshilli i Ministrave, për të vijuar me procedurat administrative dhe për të kthyer nismën në investime reale në terren.

Nënkryetari i Bashkisë Kurbin, Eduart Kurti, foto: Andrin Hoxha 1 nga 2

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›