E Shtunë, 7 Nëntor 2026

Kush është Toni Shala, shqiptari nga Kosova që mori në pronësi zinxhirin e njohur zviceran të mobilieve Micasa?

Sipërmarrësi 51-vjeçar nga Spreitenbach është në krye të grupit të ri të pronarëve të Micasa-s, ndërsa synon të marrë përsipër edhe shpërndarjen e produkteve përmes kompanisë së tij të logjistikës.

Sipërmarrësi shqiptar nga Kosova, Toni Shala, është bërë pronar i zinxhirit të njohur zviceran të mobilieve Micasa, duke marrë një rol të rëndësishëm në të ardhmen e kompanisë që dikur ishte pjesë e gjigantit zviceran të shitjes me pakicë, Migros.


Gazeta zvicerane Tages-Anzeiger, në një artikull të publikuar më 5 nëntor, ka shkruar për profilin e Shalës, i cili deri në marrjen e pronësisë së Micasa-s ishte pak i njohur për publikun dhe industrinë zvicerane të mobilieve.

Shala, 51-vjeçar, është sipërmarrës i logjistikës nga Spreitenbachu, në kantonin e Aargaut, dhe qëndron në krye të grupit të ri të pronarëve të kompanisë.

Sipas gazetës Blick, e cila gjithashtu ka raportuar për të, bazuar në një ekstrakt të fundit nga regjistri tregtar, Toni Shala zotëron 100 për qind të aksioneve të Micasa-s që nga fundi i tetorit.

Nga logjistika te pronësia e një prej zinxhirëve të njohur të mobilieve në Zvicër

Shala është i lidhur me kompaninë Jubex Transporte AG, me seli në Spreitenbach, ku është pjesë e saj që nga viti 2012. Fillimisht ka ushtruar edhe funksionin e drejtorit menaxhues, ndërsa aktualisht është anëtar i bordit drejtues.

Kompania e tij operon në fushën e transportit, logjistikës së magazinimit, montimit të mobilieve, shërbimeve të largimit të mbeturinave dhe zhvendosjeve.

Pikërisht përvoja në këtë sektor është një prej elementeve që lidhen me planet e tij për Micasa-n.

Sipas gazetës, Shala synon që në të ardhmen të marrë përsipër edhe shpërndarjen e produkteve të kompanisë, përmes biznesit të tij të logjistikës.

Ndërkaq, gazeta zvicerane shkruan se Shala është gjithashtu pjesë e menaxhmentit të kompanisë së softuerit Tobb GmbH që nga viti 2025.

Si përfundoi Micasa në pronësi të sipërmarrësit shqiptar?

Micasa u themelua në vitin 1981 dhe për shumë vite ishte pjesë e grupit Migros, një prej kompanive më të mëdha të shitjes me pakicë në Zvicër.

Në fillim të vitit 2025, Migros u nda nga zinxhiri i mobilieve, i cili atë kohë kishte 30 filiale. Në shtator të po atij viti, Micasa u ble nga menaxhmenti i atëhershëm, së bashku me investitorë nga Gjermania dhe Austria.

Megjithatë, ky organizim nuk zgjati shumë. Sipas raportimit të Blick, në fillim të tetorit investitorët e mëparshëm tërhoqën mbështetjen e tyre, duke hapur rrugën për një grup të ri investitorësh rreth Toni Shalës.

Me pronësinë e re, kompania synon të sigurojë kapital shtesë dhe të vazhdojë zhvillimin e saj.

Investime të reja, por edhe sfida për kompaninë

Marrja e Micasa-s vjen në një periudhë të vështirë për zinxhirin zviceran të mobilieve.

Kompania është përballur me probleme financiare dhe vonesa në pagesat ndaj furnizuesve, ndërsa disa klientë kanë shprehur pakënaqësi për vonesat në dorëzimin e produkteve.

Në këtë situatë, Micasa ka bërë të ditur se investitori i ri sjell mjete shtesë financiare për të siguruar financimin e zhvillimit të mëtejshëm të kompanisë.

Megjithatë, ristrukturimi do të prekë edhe punonjësit. Kompania ka konfirmuar mbylljen e katër prej 30 filialeve, ndërsa rreth 70 vende pune janë prekur nga ky vendim.

Filiali në Crissier pritet të mbyllet më 31 dhjetor 2026, ndërsa ato në Brügg, Langendorf dhe Buchs më 31 janar 2027. Për punonjësit e prekur, kompania ka bërë të ditur se po shqyrton mundësitë e vazhdimit të punësimit brenda saj.

Në krye të kompanisë ka pasur gjithashtu ndryshime. Manuel Landolt, i cili më parë ishte drejtor operativ, ka marrë detyrën e drejtorit të ri ekzekutiv (CEO).

Ndër planet e pronarëve të rinj është modernizimi i kompanisë, investimi në zgjidhje digjitale dhe përmirësimi i proceseve të blerjes, logjistikës dhe shërbimit ndaj klientëve.

Për Toni Shalën, marrja e pronësisë së Micasa-s përfaqëson një përgjegjësi të re në tregun zviceran të mobilieve. Megjithatë, sfida kryesore mbetet rikthimi i stabilitetit financiar dhe besimit të klientëve e furnizuesve, në një periudhë kur kompania po kalon nëpër një proces të rëndësishëm ristrukturimi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›