E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi diskuton sot raportet për imunitetin e Belinda Ballukut, PD protestë para Parlamentit

Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë ku pritet të shqyrtohen raportet e paraqitura nga shumica dhe opozita lidhur me imunitetin e deputetes së PS-së Belinda Balluku.

Parlamentit do t’i prezantohen të dy raportet e përgatitura nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe Partia Demokratike. Fillimisht deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi ka marrë fjalën për të paraqitur raportin e PD-së lidhur me konkluzionet e tyre në Këshillin e Mandateve.

Socialistët kanë deklaruar më herët se nuk do të japin autorizim për heqjen e imunitetit të deputetes Balluku. Sipas tyre, ajo nuk ushtron më funksion shtetëror dhe për rrjedhojë nuk mund të ndikojë në prishjen e provave. PS argumenton gjithashtu se masa e bllokimit të pasaportës është e mjaftueshme dhe se Prokuroria e Posaçme nuk ka paraqitur prova konkrete që të justifikojnë ashpërsimin e masës së sigurisë.

Ndërkohë, në raportin e saj, Partia Demokratike kërkon që Kuvendi t’i hapë rrugë SPAK për të vijuar me procedurat për ashpërsimin e masës ndaj deputetes. Sipas demokratëve, provat e paraqitura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tregojnë për rëndim të pozitës penale të Ballukut, përfshirë pretendime për kërcënim të dëshmitarëve dhe prishje të provave hetimore. Për këtë arsye, sipas tyre, Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në mburojë politike.

Në të njëjtën ditë, Partia Demokratike e Shqipërisë ka thirrur edhe një protestë kombëtare para ambienteve të Kuvendi i Shqipërisë, e cila pritet të nisë rreth orës 10:00. Policia konfirmon se 1500 efektivë janë angazhuar për protestën.

Për mbarëvajtjen e tubimit, Policia e Tiranës ka njoftuar kufizime në qarkullim. Aksi rrugor “George W. Bush” do të jetë i bllokuar për automjetet nga ora 06:00 e mëngjesit deri në përfundim të plotë të protestës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›