Kuvendi i Kosovës në përpjekjen e nëntë për konstituim, Kurti takim me Krasniqin

PRISHTINË, 1 maj/ATSH/ Sot do të jetë vazhdimi i nëntë i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët kanë dështuar për të tetën herë me radhë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Seanca është ndërprerë pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të martën të marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare.
Ashtu si edhe u paralajmërua, kryeministri në detyrë Albin Kurti po zhvillon takim me Memli Krasniqin e PDK-së, ndërsa LDK-ja e ka refuzuar ftesën.
Kurti e Krasniqi po takohen sy më sy, të pashoqëruar nga dikush tjetër. Krasniqi u shpreh më herët se do të shkojë në takim me shpresën se Kurti do të ndryshojë qëndrim në lidhje me propozimin e kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë një tjetër kandidat, ndërkaq LDK-ja është shprehur kundër çdo propozimi të partisë së Albin Kurtit.
LVV-ja, në anën tjetër, këmbëngul në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare. /rel/